Përjetime: Stambolli, qyteti që flet nëpërmjet poezive, çajit dhe ezaneve

Përjetime: Stambolli, qyteti që flet nëpërmjet poezive, çajit dhe ezaneve

Nga Brunilda Basha

Në Stamboll mund të gjesh gjithçka. Atje gjen vetë njerëzimin, Europën, Perëndimin dhe Lindjen. Stambolli vendi i së bukurës, poezisë, misticizmit, portë e historisë, urë e kulturës, kryeqytet i botës. Dashuri e destinuar të jetojë përgjithmonë. Nëse shkel njëherë në të do dëshirosh të mos ndahesh asnjëherë prej tij. Në pazare, rrugë e metro gjen përshëndetje nga Merhaba, në Bonjour, Hola, Guten Tag, Ciao, Namaste, Salaam, Ahlan Bikum, Shalom, Selamat Patang, Tungjatjeta.

Gjen histori qindravjecare. Muret që rrethojnë qytetin mbartin vetë jetën e cila nuk vdes me kohën por mbijeton e gjallë si dikur. Çdo hap që hidhet shkel në një gur kulture e ndodhie. Balata me fasada shumëngjyrëshe vjen më jetike teksa muslimanët veshur në të zezë dhe të bardhë nxitojnë për në faltore.

Vakti drekës mbërriti.
Sot është edhe e Xhuma,
Ezani thërret: Eja në namaz!
Sythat dolën, Vera Erdh!

Në Kadakoy ecën nëpër lagjet ish-jahudite, kishat armene e ortodose. Takohesh me bizantët, romakët e osmanët nëpërmjet katedraleve, medreseve, xhamive e hamamëve. Kupolat madhështore të arkitektit më të famshëm të kohërave Sinanit, fole zogjsh nëpër muret e sarajeve, kaligrafi me mijëra kompozime ngjyrash nëpër muret e xhamive. Qytet i gurëve, vendosjes së hekurt, humbjeve dhe triumfeve. Vend i dëshmorëve dhe fitimtarëve, po aq sa dhe vatër e mëshirës dhe njerëzores.

Çdo natë lexohen  fabulat e të urtëve, anekdodat e Nastradinit apo thëniet e Rumiut. Melodia e tij dëgjohet në poezi nostalgjie, zëra zogjsh, rrjeta peshkimi nën urën e Galatës, zhurma e metrove dhe anijeve poshtë Bosfori. Stambolli nuk flen, ai vetëm flet.

Krahët e pëlubardhave fluturojnë

nëpër tinguj qielli pa re.

Fryma e tij lundron mbi qetësi bluje,

e bëhet njësh nëpër hapërime zemre.

Shpirti ngrohet nga fija e diellit

që çan përmes lindje – perëndimin.

Bosfor,

Çdokush mbetet i ndarë!

Gjysma zemrës rreh në qytetin plot jetë.

Gjysma tjetër në kujtime të lëna peng.

Stambolli herë më ngjason me një vajzë të re e lozonjare, e herë me një grua me thinjat fisnike të bardha në kokë, por që fytyra e saj nuk rrudhet asnjëherë. Kam dëgjuar se natyra e tij ndryshon ashtu si humori i një çupëline. Në mëngjes del dielli, në drekë mund të bie shi e në darkë të ndriçohesh nga qielli plot yje.  Parqet e tij janë lumenjsh tulipanësh të cilët të ndjellin dëshirën për të notuar në to,  bahçe trëndafilash të kuq, rozë e të bardhë. Rrugicat e ngushta e të pjerrëta me kalldrëm janë të zbukuruara nga saksiat e vogla me lule shumëngjyrëshe në çdo dritare të shtëpive me veshje druri ose të lyera në të bardhë.

Petalet e tyre shpërndajnë aromë freskie,kundërmojnë  gjallërim e rrahje jete! Zërat e vocërrakëve gumëzhijnë në sokaket e  mëhallës duke larguar retë e bardha pa bërë zë. Nënat shamibardha e të pafuqishme për të zbritur shkallët e pallatit i hedhin kanistrën tregtarit që shet fruta-perime poshtë dritares së tyre. Ablaxhim-abixhim(motra ime-vëllai im) janë fjalët me të cilat fillon çdo bisedë në tregje apo dyqane. “Nga jeni?”- më pyeti një ditë një shofer taksie(një xhaxha rreth të ‘50-‘60-tave). “Arnavut”-ja kthej disi ftohtë e bezdisur nga fakti që donte të dinte prejardhjen.”Komshinj” shtoj më mbrapa. “Komshinj?! Joo”- reagon me një “jo” vërtet të zgjatur. “Kardesh! Kardesh!( Ne jemi vëllezër)” e thekson dy herë ndërkohë që merr kthesën për të më lënë në destinacionin e arritur.

Në klasë kam disa miq të krishterë. “Etiopia”– më thotë një ditë një prej tyre,- “ka hapur dyert për muslimanët e kohës së Muhamedit.” “E di, e di” – pohoj unë. “Besimin tonë dhe tuaj e ndan një vijë që mbreti juaj asokohe e vizatoi në tokë kur shokët e Profetit a.s. i treguan se cfarë thotë Kurani për nënën e Jezusit, Marisë.”  Buzëqesh dhe aprovon me kokë. “Kjo është e bukura e Stambollit” thotë – “kaq shumë besime që jetojnë sëbashku”.

Në këtë muaj qyteti ka marr një tjetër hije. Është Ramazan. Atmosfera e tij ka trokitur në çdo familje, rrugë, xhami dhe park. Në këtë muaj është sikur cdo gjë ngrin. Lodhja, mërzia, shqetësimet kanë marrë arratinë. Lumturohesh duke dhuruar. Në Sultan Ahmet, Taksim, Sulejmanije e kudo shikon vargje tavolinash të shtruara me mbulesa të bardha. Sofra e ushqimit fton të gjithë agjëruesit të ulen tok sëbashku.

Aroma e ushqimit në Ramazan mban emrin

Vëllazëri për hir të Zotit!

Pide e rrumbullaket me fara të zeza, 
çaj i ngrohtë dhe ëmbëlsirë.

Trokitje në dyert e mëshirës,

Lutje lotuese nën dritën e kandilit.

Përjeton çdo të thotë të jetosh Sulltanin e njëmbëdhjetë muajve të tjerë. Midis minareve të çdo xhamie kryesore “Mahya” ndriçon netët e Ramazanit me shkrimin “Hos Geldiniz Ramazan-Mirësevjen Ramazan”. Rruazat e dritave i përkujtojnë çdo agjëruesi “Qetësoni” shpirtrat e trazuar. Në këto muaj vere, agjërimi vjen si fllad nën atmosferën pozitive të tarracave që ndriçohen nga hëna magjike e natës së 15-të.  Ditët e agjërimit lindin e perëndojnë një nga një, e nata i le vendin ditës. Në fund mbetet Zoti, i Cili këto ditënetë ka hapur portat e faljes për robërit e Tij.

Çdo natë në Stamboll luhet  koncerti Nata
nën dirigjimin e dritave të qytetit ndezur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *