Histori pajtimi: një Iftar për të shëruar ndasitë fetare në Indi

Histori pajtimi: një Iftar për të shëruar ndasitë fetare në Indi

Ankit Saxena u vra nga familja e të dashurës së tij muslimane, por babai i tij organizon iftar për të sheshuar ndasinë fetare.

Yashpal Saxena, një burrë i brishtë indian, qëndron ulur në mes të një grupi të panjohurish në një mbrëmje të nxehtë në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi. Ai ka shtruar një Iftar, disa muaj pasi djali i tij u vra dhunshëm pranë shtëpisë së tyre në lagjen Raghuvir Nagar në perëndim të Delhit.

Ankit i besimit hindu u vra nga një çift muslimanësh se shoqërohej me vajzën e tyre, një fund brutal për marrëdhënien tre-vjeçare.

Të dielën, pak minuta përpara perëndimit të diellit, më shumë se 100 njerëz u mblodhën në rrugicën e ngushtë jashtë shtëpisë së Saxena.

“Dridhem e qaj kur kujtoj tim bir, ai ishte pjesë e zemrës sime, heroi im”, thotë Yashpal me zë të mbytur.

“Vrasësit e tij ishin muslimanë por kjo nuk do të thotë se unë duhet të zemërohem kundër komunitetit”, shton ai.

Dhjetëra muslimanë të devotshëm erdhën pas faljes për t’u bashkuar me Yashpal dhe aktivistë të tjerë ndërsa qielli nisi të errësohej. Familja kishte hapur qilima në rrugicë kështu që njerëzit mund të uleshin dhe të darkonin.

“Ideja që një familje jo-muslimane të jepte iftar për muslimanët është saktësisht ajo që nevojitet për të shëruar një popull të përçarë nga urrejtja dhe fanatizmi”, thotë Anas Tanwir, gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe organizator i iftarit.

23-vjeçari Ankit Saxena, u pre në fyt nga familja e të dashurës së tij muslimane në një rrugë të populluar të Nju Delhit në shkurt të këtij viti.

 

vrasje për nder

Martesat jashtë besimit apo kastës familjare ende shihen me mosbesim në shumë pjesë të Indisë dhe me raste rezultojnë në përdorimin e dhunës.

“Vrasjet për nder” quhen ato kur një person vritet nga një anëtar i familjes që beson se viktima ka çnderuar familjen, klanin apo komunitetin – këto vrasje janë të zakonshme në Indi.

Sipas të dhënave qeveritare, 288 raste të vrasjeve për nder u raportuan nga viti 2014 deri në vitin 2016, në vend.

Për babanë e Ankit, Yashpal, thyerja e bukës me këta burra dhe gra në shtëpinë e tij ka domethënien e refuzimit të urrejtjes.

“Ky njeri po shënon një ritual të të njëjtit besim me atë të vrasësve të djalit të tij. Kjo rezonon me Indinë që Mahatma Gandi dëshironte të ndërtonte. Në atmosferën e urrejtjes, është vendimtare që ne të qëndrojmë në krah të njerëzve si Yashpal”, thotë aktivisti Mohammed Amir Khan për “Al Jazeera”-n, në lidhje me këtë ngjarje.

Reagimi i Yashpal menjëherë pas vrasjes së të birit dhe muajt që pasuan ishte kundër-rrymë me politikat e mundshme të ndasisë që mund të kishin ndërhyrë në incident.

“Ju lutem, mos e bëni të rëndomtë vdekjen e tim biri”, tha Yashpal për median lokale pasi djali i tij u bë shenjestër e krimit të dhunshëm të urrejtjes. Ai po ashtu, qëndroi larg një marshimi me qirinj në kujtim të të birit, organizuar nga liderët lokalë të partisë së djathtë qeverisëse, Bharatiya Janata (BJP).

Me këto veprime, ai refuzoi retorikën e shtuar helmatisëse të drejtuar kundër muslimanëve në jetën e përditshme në Indi.

Shumë liderë të krahut të djathtë dhe mbështetës të tyre, përfshi një ligjvënës në Nju Delhi, u rreshtuan me partinë qeverisëse duke u përpjekur të trazojnë mosmarrëveshjet fetare, pas vdekjes së Ankit. Ata postuan mesazhe provokative në rrjetet sociale.

Yashpal tani thotë se dëshiron që emri i të birit të jenë sinonim me “harmoninë e përbashkët”.

Familja planifikon, po ashtu, të ngrejë një organizatë për të ndihmuar njerëzit të cilët dëshirojnë të martohen me partner që nuk janë prej të njëjtit komunitet.

“Ky iftar është një mesazh”

Tensionet mes komuniteteve janë një shqetësim i përhershëm në demokracinë më të madhe në botë. Indianët janë ndëshkuar shpesh nga demonizimi i tjetrit, nxitur nga retorika e politikanëve dhe nga një media e ethshme.

Aktivistët pretendojnë se ndjesia anti-muslimane është rritur në disa zona, që kur kryeministri Narendra Modi dhe partia e tij nacionaliste hindu mori pushtetin në vitin 2014.

59-vjeçari Yashpal, tashmë planifikon të ndihmojë çiftet që nuk përkasin në të njëjtin komunitet. Ai mbështetet në këtë përpjekje nga të rinj hindu dhe muslimanë dhe nga anëtarët e familjes së tij.

“Ky iftar është një mesazh… në Indi, hindutë, muslimanët, sikhët dhe të krishterët janë të gjithë të barabartë. Ne do të shënojmë ritet e të gjitha besimeve. Sot është vetëm fillimi”, shton Ashish, kushëri me të ndjerin, Ankit.

“Shumë njerëz pas vdekjes së Ankit na u afruan me mesazhe sektariane, ata ndoshta donin që pas kësaj tragjedie të kishte trazira. U kam thënë gazetarëve: ju lutem, raportoni ato që jut hemi ne, mos shtoni vetë”.

“Më kujtohet që disa media shfaqën ilustrime të një burri që dukej si musliman duke i prerë fytin me shpatë Ankitit”.

“Çfarë nevoje kishte për këto? Vëllai im shkoi, por mos bëni nga këto”, shton ai.

Anëtarët e familjes dhe miqtë e Ankit janë mbledhur rreth Yashpal dhe gruas së tij të cilët po përballen me probleme shëndetësore.

Qeveria ende nuk ka dhënë asnjë ndihmë financiare për familjen, thonë ata.

“Ata po përpiqen të jenë të lumtur, ne përpiqemi t’i bëjmë të lumtur, por unë nuk mund të bëhem Ankit e as ata nuk mund ta harrojnë djalin e tyre”, thotë Ashish.

“Nuk do të adresoj urrejtje”

Kujtimet e asaj dite kur u vra Ankit, janë ende të freskëta, thotë një fqinje. Fëmija i tyre i vetëm u vra, ata po përpiqen të vazhdojnë jetën pas kësaj tragjedie të madhe, thotë ajo, e pyetur për jetën e çiftit të bashkëshortëve pas asaj dite fatkeqe.

Policia e Delhit ka ngritur padi ndaj katër të akuzuarve – babait, nënës, xhaxhait dhe vëllait të vajzës, të cilët janë ndaluar.

“Dëshiroj që vrasësit e djalit tim të varen, por nuk do të adresoj urrejtje ndaj ndonjë besimi”, thotë Yashpal për Al Jazeera-n.

India është me shumicë dominante hindu, por minoranca të mëdha fetare jetojnë në gjithë vendin. Rreth një e pesta e 1.27 miliard njerëzve të Indisë identifikohen se u përkasin besimeve të tjera jo hindu.

Episode të tmerrshme të dhunës midis hinduve dhe muslimanëve kanë shenjuar periodikisht historinë e Indisë që kur ajo fitoi pavarësinë nga sundimi britanik. Rreth një million njerëz u vranë gjatë ndarjes së Indisë britanike në Indi dhe Pakistan në vitin 1947.

Shumë prej të pranishmëve në iftarin në Delhi thonë se nuk e dinë përgjigjen afatgjatë për këtë problem, por dinë se duhet të vijojnë të sfidojnë këtë lloj dhune dhe urrejtjeje kur ato nxiten.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *